13-01-2012 / Redaksionale

Shpallja e partisë së re në një emision satirik, në një kanal televiziv pranë opozitës, ishte vetëm forma karikatureske e zbritjes në mejdanin e politikës. Por marria e intervistës qëndronte tek paradoksi që Bamir Topi kishte përzgjedhur për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se s’kishte përgjegjësi në ngjarjet e 21 janarit. “Unë jam shteti, prandaj s’mund t’i bija vetes me grusht”, deklaroi ai në intervistën për emisionin satirik “Fiks Fare”, duke e quajtur të ezauruar përgjigjen për mosdijeninë e tij për trazirat e asaj dite. Përveç reminishencës së deklarimit të Luigjit XIV “Shteti jam unë”, asnjë normë tjetër juridike nuk e justifikon vlerësimin e Bamir Topit se ai ishte shteti, ai ishte pronari i Shqipërisë e prandaj s’kishte se pse ta ndryshonte këtë status-quo. Në fakt, pikërisht prej kësaj logjike revanshiste, të një njeriu që s’di se sa prona ka e ku i takojnë e sa mund t’i kthehen, edhe Bamir Topi u nxit të mbështesë institucionalisht atë lëvizje antishtetërore, për rrëzimin e institucioneve kushtetuese... Rrëzimi do të sillte edhe një gjendje të re, ku me të vërtetë, do të mendohej se Bamir Topi do të mund të merrte (përkohësisht, pasi Edi Rama s’do t’ia zgjaste shumë) edhe frenat e shtetit.
Por kryetari i shtetit, që ka detyrë kushtetuese të jetë njëfarë garanti i funksionimit të institucioneve kushtetuese, priti gjithë kohën që të binte në fakt institucioni që ka sipas kushtetutës drejtimin e vendit, pra institucioni i kryeministrit. Në një republikë parlamentare është pikërisht kryeministri që drejton vendin dhe përfaqëson institucionet në marrëdhëniet ndërkombëtare, prandaj edhe Bamir Topi e pati të vështirë të funksiononte si president në këtë sistem. Mendësia e vjetër e tërhiqte drejt një shteti privat, prandaj edhe pati guximin e marrë t’i shkonte deri në fund skemës së Grushtit të Shtetit. Që ai s’do t’i gëzonte frytet e grushtit të shtetit, ndoshta tashmë do ta ketë kuptuar tani edhe vetë, por që ai të përzgjedhë paradoksin “shteti jam unë, prandaj s’mund t’i bija me grusht...” si një alibi në një emision satirik, është një tregues i perspektivës politikës të plevicës partiake që ai pritet të themelojë.

...