Autori i Lajmit: red.
PRISHTINE - Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, përgjegjës për Ballkanin do të qëndrojë në Kosovë për një vizitë dyditore. Gjatë kësaj vizite, e cila do të nisë sot, Xhons pritet të takojë krerët më të lartë të institucioneve si presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe liderë të tjerë vendorë. Xhons është emëruar në këtë post në korrik të vitit të kaluar, në vend të Rozmari di Karlo, e cila është emëruar në Misionin e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara. Sipas medias kosovare, Xhons vjen në Prishtinë për të diskutuar me liderët vendorë rreth situatës dhe zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë, sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi, dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve. Pritet që përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit të risigurojë lidershipin politik kosovar se me gjithë ndryshimet në administratën amerikane politika dhe përkushtimi i deritashëm i SHBA-së ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë.



Ky lajm është publikuar: 13/01/2009