Albania-sport.com (AS) - Ilirjan Caushaj, nje nga zbulimet e ketij sezoni, është në sezonin e tij të parë në Superligë. Lojtari 19-vjecar i Dinamos (datëlindja 18.03.1987) është integruar tashmë shumë mirë në rradhët e ekipit të dytë në Shqipëri, për sa i përket kampionateve të fituara (16). Caushaj, karriera e të cilit filloi në skaudrën e kategorisë së dytë, Permeti (që është dhe vendlindja e tij) vazhdoi për dy sezone me të rinjtë e Fiorentinës, për t'u rikthyer verën e vitit të kaluar, fillimisht për provë te Tirana dhe për tu vendosur përfundimisht te Dinamo (katër vjet kontratë), pas pëlqimit nga ana e trajnerit me përvojë Faruk Sejdini.
Caushaj, që tashmë është pjesë e formacionit të ekipit Kombëtar të Shpresave (U-21) me trajner Artan Bushatit, pritet të luajë nga minuta e parë në takimin miqësor kundër Turqisë (të mërkurën në orën 14.30, në Stamboll).Për Ilirin ndeshja kundër formacionit U-21 turk shënon edhe takimin e tij të parë ndërkombëtar. "Më jep kënaqësi grumbullimin me përfaqësuesen edhe pse bëhet fjalë vetëm për një miqësore. Shpresoj të jap maksimumin dhe më të mirën", thotë Caushaj, i cili në debutimin e tij të parë me fanellën e Dinamos, në turneun e "Birra Norga" i dhuroi 10 mijë dollarë ekipit të tij në finalen e luajtur kundër Elbasanit (1-0). Caushaj është grumbulluar disa herë nga Bushati, madje edhe në takimin testues të dhjetorit të kaluar me kandidatët e ardhur nga kampionatet e huaja bëri një figurë të mirë. "Një paraqitje e mirë në Turqi do të më ndihmonte shumë. Kjo do të ishte pozitive për mua si për kombëtaren dhe ekipin ku aktivizohem, Dinamon", shton Caushaj që ka zënë një vend stabël në formacion. "Marrëdhëniet me trajnerin Jupi janë të shkëlqyera, pasi tani më njeh më mirë. Kemi respekt reciprok", përfundon Ilirjani, që të mërkurën do të përjetojë një ndeshje me shumë peshë në karrierën e tij si futbollist i ri.
Dash Frashëri