“Perfect couple” (“çifti perfekt”), i grupit “Albartist” me regji të Gent Bejkos, u shpall filmi më i mirë i Festivalit Tirana-48 Hour Film Project 2010. Pas maratonës 48 - orëshe, e pasuar nga një fazë refleksioni dhe dy ditë shfaqjeje, mbrëmjen e së shtunës, në sallën e Teatrit Kombëtar u zhvillua nata finale e festivalit, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Juria e përbërë nga Robert Aliaj Dragot, president i festivalit, Veton Nurkollari, President i Dokufest, Bland Ashiku, kritik kinemaje, shpalli fituesit e edicionit të parë të Tirana-48 Hour Film Project 2010. Mbrëmjen e së shtunës u shpallën fituesit për regjinë më të mirë, montazhin, aktrimin, etj. Ndërsa mbrëmë në Amfiteatrin e Akademisë së Arteve u shpall dhe çmimi i publikut, i fituar nga filmi “Krehëri” me regji te Renato Aliçkollit dhe Elis Gjonit. Në këtë edicion morën pjesë krijues të filmave nga i gjithë vendi dhe gjithë hapësira shqipfolëse, të cilët realizuan një film të shkurtër brenda 48 orëve. Ndryshe nga festivalet e tjera, në këtë garë, temat dhe zhanret zgjidheshin me anë të një shorti dhe kineastët, duhet të krijonin mbi “fatin” e zgjedhur. Filmat e realizuar në këtë 48-orësh, u shfaqën për publikun përgjatë dy netëve në sallën e TK-së, për të arritur në shpalljen e çmimeve. Filmi fitues do të konkurrojë me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin “Best 48 hour Film of the Year 2010”. “48 Hour Film Project” është një fenomen kulturor botëror dhe një institucion internacional, që organizohet në 81 qytete të botës me një sukses të jashtëzakonshëm, duke ju ofruar kineastëve të rinj dhe të talentuar mundësinë për t’u shprehur në fushën e kinematografisë, duke ju siguruar vizibilitetin botëror dhe lidhje me festivalet më prestigjioze të filmit në botë, si Festivali i Kanës, ku fituesit në shkallë ndërkombëtare do të prezantohen në një seksion të veçantë.


çmimet

Filmi më i mirë: “Perfect couple” i grupit “Albartist”, regjia Gent Bejko.
Regjia më e mirë: Neritan Muskaj me filmin “Don’t hate the game, but the player”.
Skenari më i mirë: Gjergj Kalaja me filmin “Romance”.
Aktrimi më i mirë: Xheni Hallulli në filmin “Perfect couple.
Kinematografia më e mirë: Elis Puka, Ilir Kllojka, Marin Marika në filmin “Krëhëri”
Montazhi më i mirë: Ervin çoba me filmin “Judge” të grupit “Karrotat me Kollare”
çmimi i publikut: “Krehëri” me regji të Renato Aliçkolli dhe Elis Gjoni