TIRANE- Dalin rezultatet për testimin me shkrim të Policisë së Shtetit. “Gazeta Shqiptare” publikon listën e plotë të atyre që kanë zhvilluar provimin e policisë gjatë ditës së enjte. Në përfundim të procesit gjatë ditës së tretë kanë grumbulluar jo më pak se 60 pikë, duke rezultuar fitues të testimit me shkrim 226 aplikantë, nga të cilët 74 aplikantë i përkasin grupit të parë të konkurrimit dhe 152 aplikantë i përkasin grupit të dytë të konkurrimit. Edhe në këtë grup, asnjë kandidat nuk ka marrë 100 pikët maksimale. Ditët në vijim pritet të përcaktohet edhe data e zhvillimit të testit fizik. Ditën e sotme do të zhvillohet provimi për grupet e fundit të aplikantëve. 
PROBLEMET 
Gjatë dy ditëve të para të zhvillimit të provimit për Policinë e Shtetit kanë qenë të shumta edhe problemet për shumë aplikantë, të cilët kanë qenë të detyruar që të prisnin në radhë të gjata dhe me orë të tëra, pavarësisht se secilit prej grupeve iu është komunikuar një orar për fillimin e provimit. Çdo ditë në provim janë futur nga dy grupe, ku specifikisht grupi i parë e ka pasur provimin në orën 06:30 minuta, grupi i dytë duhej ta niste provimin në orën 11:30 minuta. Por, në fakt asnjëri prej grupeve nuk e ka zhvilluar provimin në orën që iu është caktuar, pasi grupi i parë e ka nisur testin rreth orës 08:30 minuta dhe grupi i dytë rreth orës 13:00 minuta. “Kemi dy orë që presim dhe akoma s’kemi nisur provimin. Nuk na thonë asgjë se pse po vonohemi”, shprehet një nga konkurrentët, që priste në radhë për t’u futur në provim. Shumë studentë të tjerë kanë pasur probleme me shënimin e emrit në fletën e pranimit, pasi e kanë pasur gabim dhe u janë hapur mjaft probleme. I tillë është edhe rasti i Njazi Selmanit, i cili në fletë ka pasur një gabim tek mbiemri dhe ditën e djeshme i është dashur që të priste gjithë ditën për t’u futur në provim. Problemi më i madh ka qenë mospasja e kodit personal në fletën e provimit. Aplikanti Xhevdet Huqi në fletën e tij nuk ka pasur të shënuar kodin dhe gjithë ditën mërkurë ka pritur për t’u futur në provim, pasi rrezikonte që të mos futej fare. Kanë qenë rreth 14 aplikantë, të cilët nuk kanë pasur të shënuar në fletën e tyre të pranimit kodin identifikues. Madje, shumë prej tyre janë penalizuar gjatë provimit dhe janë skualifikuar. Në total gjatë dy ditëve të para janë skualifikuar nga provimi 341 konkurrentë, të cilët kanë bërë gabime tek plotësimi i kodit të identifikimit apo edhe në plotësimin e fletës. Kandidatët që kanë përfunduar provimin janë shprehur se pyetjet nuk kanë qenë shumë të vështira, siç ka qenë pyetja: ‘Gjej kryefjalën tek fjalia: Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, ishte nga Kruja’, përgjigjen e saktë të të cilës nuk e kanë gjetur pothuajse 2000 aplikantë. Pyetjet kanë qenë nga literatura e shkollës së mesme, përfshirë këtu gjeografinë, historinë, gjuhën, letërsinë, apo tek-tuk edhe pyetje nga matematika. Ka pasur edhe pyetje të tilla për të parë formimin e përgjithshëm të aplikantëve.