TIRANë- Nga data 11 deri në 16 Prill, Teatri i Operas dhe Baletit, falë një bashkëpunimi me grupin e mirënjohur italian ‘Balleto del Sud’, do të shfaqin spektaklin “Karmen”, me koreografi të Fredi Francutit nën muzikën e Bizet, Albeniz, Chabrier, dhe Massenet. Disa nga kërcimtarët e shfaqjes do të jenë Enada Hoxha në rolin e Karmenit, Ervis Nallbani në rolin e Hozesë dhe Ger Vaso në rolin e Eskamilos.

Dirigjenti i spektaklit do të jetë Francesko Libeta një emër i njohur i muzikës italiane. Duke u bazuar edhe në suksesin e këtij grupi në Itali dhe shtetet e tjera ku ka shkuar, pritet që kjo shfaqje të jetë mjaft e suksesshme edhe në Tiranë. Bashkëpunimi u bë i mundur falë ndihmës së Ministrisë së Kulturës, News 24, Gazetës “Standard” dhe AMC.
(m.a/News24/BalkanWeb)