Që nga 1 marsi i këtij viti qytetarët e Tiranës, Skraparit dhe Vlorës janë të detyruar ta paguajnë ujin e pijshëm më shtrenjtë, ashtu sikurse është vendosur edhe për një sërë qytetesh të tjera. Sipas tarifave të caktuara nga Komisioni Kombëtar i Entit Rregullator të Ujit, konsumatorët familjarë në kryeqytet do të paguajnë për një metër kub ujë 33 lekë nga 20 që paguanin para marsit. Ndërkohë që e njëjta kategori për ujërat e ndotura do të paguajë 10 lekë për metër kub. Institucionet buxhetore do të paguajnë 110 lekë për metër kub ujë të pijshëm nga 75 lekë që paguanin më parë, ndërsa për ujërat e ndotura do të paguajnë 25 lekë për metër kub. Entet private me tarifat e reja duhet të paguajnë 120 lekë për metër kub ujë nga 95 lekë që paguanin për të njëjtën sasi, ndërsa për ujërat e zeza tarifa është po 25 lekë për metër kub. Klientët e veçantë ku përfshihen prodhuesit e pijeve alkoolike, freskueseve apo pishinat nga një marsi paguajnë 140 lekë për metër kub ujë, kurse për ujërat e ndotura 25 lekë për metër kub. Shitja e ujit me shumicë për komuna apo bashki është rritur me katër lekë, nga 6 që ishte tashmë është 10 lekë për metër kub. Ndërsa për HEC-in Lanabregas çmimi i ujit është caktuar 5 lekë për metër kub. E vetmja kategori që nuk është përfshirë në rritjen e çmimit të ujit është ajo e furrave të bukës, të cilët do të vazhdojnë të paguajnë 95 lekë për metër kub ujë, sikurse bënin edhe para marsit. Veç përcaktimit të tarifës së ujit për konsum publik është vendosur edhe tarifa fikse e shërbimit prej 100 lekësh. Ndryshime të tarifave të ujit ka pasur edhe për Skraparin, ku kategoria e konsumatorëve familjarë do të paguajnë 27 lekë për metër kub, institucionet buxhetore 80 lekë për metër kub dhe entet private 95 lekë për metër kub ujë të pijshëm. Edhe për Vlorën tarifat janë të ndryshme, ku për konsumatorët familjarë tarifa për një metër kub ujë është 30 lekë, për institucionet buxhetore 60 lekë dhe për entet private 80 lekë. Ndërkohë që po në fillim të këtij muaji në fletoren zyrtare u botuan edhe çmimet e reja të ujit për tri qytete të tjera në vend. Enti Rregullator i Ujit vendosi çmim të ri për ujin e pijshëm në Gramsh, Fier dhe Korçë. Sikurse ka ndodhur në gjithë vendin, edhe për këto qytete ndryshimi i çmimit të ujit ka filluar që në një mars. Me tarifat e reja konsumatorët familjarë në Gramsh do të duhet që të paguajnë 28.5 lekë për një metër kub ujë, ata të Korçës 50 lekë dhe ata të Fierit 44 lekë.

Tarifat

Skrapar
Konsumator familjar
27 lekë/m3
Institucione buxhetore
80 lekë/m3
Ente private
95 lekë/m3

Vlorë
Konsumator familjar
30 lekë/m3
Institucione buxhetore
60 lekë/m3
Ente private
80 lekë/m3

Tiranë
a)Konsum publik
Konsumatori familjar
33 lekë/m3
Institucione buxhetore
110 lekë/m3
Ente private
120 lekë/m3
Klientë të veçantë
140 lekë/m3
Furra buke
95 lekë/m3
Shtije uji me shumicë
10 lekë m3
HEC-Lanabregas
5 lekë m3
b)Tarifa fikse
100 lekë/klient