Për njerëzit që janë rritur me kulturën urbane, jeta është plot legjenda të këtilla. Njëra nga legjendat urbane është edhe emri i Oriana Fallacit. Ajo bën pjesë në korpusin e legjendave të tjera të pop kulturës, ku janë edhe, për shembull, Beatles-at, Bob Dylan, lëvizjet hippie, sex drugs and rock`n roll, grupi terrorist Baader - Meinhof, Marilyn Monroe, pantollonat jeans, Che Guevara, etj. Më ra ndër mend Fallaci në kontekstin e opinioneve që kohëve të fundit e aktualizuan çështjen e cilësisë së gazetarisë shqiptare në Mal të Zi. Është shumë lehtë të jesh i impresionuar nga Fallaci. Kjo do të thotë që të jesh i lirë, të mendosh lirë, të shkosh kah të çon zemra dhe mos t`i nënshtrohesh askujt. Por, është shumë lehtë të ëndërrosh e më vështirë ta zbatosh. Të jesh Oriana Fallaci në Ballkan është mission imposible në çdo aspekt.

Do të përdori një figurë nga kronika e zezë e këtyre ditëve. Këto ditë ndodhi që një shkollë në Haiti u rrëzua përbrenda dhe në gërmadhat e saj gjetën vdekjen rreth njëqind nxënës. Informatat e para thonin se shkak ishte stuhia e cila ato ditë përfshiu Haitin. Mirëpo, pas disa ditësh, doli në fushë shkaku i vërtetë - konstrukti i dobët dhe lëshimet e bëra gjatë ndërtimit. Është ky ilustrim i ëndrrës së kotë që të jesh Oriana Fallaci. Nuk është faji te ndonjë stuhi e rastësishme ose e kohëpaskohshme, por, është faji në konstruktin e sistemit dhe të shoqërisë. Besoj që, sikur të kishte lindur në Ballkan e jo në Itali, një Oriana Fallaci nuk kishte pasur se çfarë të bëjë këtu. Ta formuloj më mirë, ajo as që kishte pasur mundësi të bëhet Oriana Fallaci.

...